Më datë 11 nëntor 2026, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) organizoi tryezën e diskutimit “Roli dhe kontributi i partnerëve të tregut të punës në sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë”, në format online.
Në këtë veprimtari, Drejtoria e Kurrikulave dhe Sigurimit të Cilësisë (DKSC) dhe Qendra e Zhvillimit Profesional (QZHP) të Universitetit të Tiranës ishin pjesë e panelit të diskutimit dhe partnere në organizimin e takimit.
Takimi u hap nga Drejtoresha e Përgjithshme e ASCAL-it, Prof. Asoc. Dr. Anisa Subashi, dhe vijoi me fjalën përshëndetëse të Zëvendësministres së Arsimit, znj. Armela Baka.
Në të morën pjesë përfaqësues nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë, si dhe përfaqësues të grupeve të interesit dhe partnerëve të tregut të punës.
Diskutimet u përqendruan në rolin e partnerëve të tregut të punës në proceset e akreditimit, vlerësimin e jashtëm dhe përmirësimin e programeve të studimit, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe punëdhënësve.
Pjesëmarrja e QZHP-së dhe DKSC-së në këtë veprimtari kontribuon në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe në promovimin e kulturës së cilësisë dhe zhvillimit profesional në Universitetin e Tiranës.
