Në këtë kuadër, më datë 14.10.2026 ora 12:00, në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Tiranës, do të organizohet një trajnim informues me përfaqësues të AKKSHI-së, me qëllim shpjegimin e hapave dhe procedurave që mund të ndjekin doktorantët për të aplikuar dhe për të përfituar nga ky program.
Programi Kombëtar i Financimit të Doktoraturave zbatohet mbi parimin “Një thirrje – dy kategori – një standard kombëtar”. Doktoratura kërkimore standarde (Kategoria A) dhe doktoratura industriale (Kategoria B) trajtohen si dy modalitete të së njëjtës skemë kombëtare financimi, me një kuadër të unifikuar administrativ, financiar, monitorues dhe të transparencës.
Thirrja synon të mbështesë zhvillimin e studiuesve të aftë për të realizuar kërkim shkencor të pavarur, origjinal, themelor ose të aplikuar, në fushat prioritare të përcaktuara në thirrje, me orientim strategjik drejt fushave STEM, me qëllim rritjen e cilësisë dhe standardeve të formimit doktoral, si dhe nxitjen e rezultateve kërkimore me vlerë dhe potencial për t’u përdorur në zhvillimin e shkencës, ekonomisë dhe politikave publike.