Qëndra e Zhvillimit Profesional

QENDRA PËR MËSIMDHËNIEN DHE TË NXËNIT NË ARSIMIN E LARTË   Në funksion të zbatimit të Politikës së Zhvillimit të Personelit Akademik, Universiteti i Tiranës ngre një strukturë ndihmësakademike me karakter akademik në vartësi të Rektoratit, e cila emërtohet Qendra për Mësimdhënien dhe të Nxënit në Arsimin e Lartë (QMNAL). Veprimtaria e QMNAL-së do të jetë një bashkëpunim i Departamentit të Pedagogjisë dhe Psikologjisë të Fakultetit të Shkencave Sociale; të Grupeve mësimore e kërkimore të didaktikave lëndore të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, të Fakultetit të Shkencave të Natyrës; të pedagogëve me përvojë të spikatur mësimdhënieje nga Fakulteti i Ekonomisë dhe Fakulteti i Drejtësisë; të ekspertëve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit të Universitetit të Tiranës si dhe të ekspertëve të huaj; të angazhuar në bazë të kontratave të bashkëpunimit me ta.   Vizioni, misioni, objektivat e QMNAL-së Vizioni Qendra për Mësimdhënien dhe të Nxënit në Arsimin e Lartë të bëhet një qendër ekselence e formimit dhe trajnimit pedagogjik të personelit akademik për Universitetin e Tiranës dhe për institucionet e tjera të arsimit të lartë në Shqipëri, duke dhënë ndihmesë në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe të të nxënit në arsimin e lartë.   Misioni Të ofrojë programe të formimit pedagogjik, të zhvillimit të vazhduar profesional për personelin akademik të cilat synojnë të zhvillojnë kompetencat pedagogjike për një mësimdhënie cilësore dhe e ndihmojnë atë të përmbushë standardet profesionale që kërkohen për mësimdhënien në arsimin e lartë, si dhe programe që të optimizojnë potencialin e të nxënit të studentëve.   Objektivat e QMNAL-së
  1. Ndërtimi i QMNAL-së sipas praktikave më të mira ndërkombëtare që të përmbushë me sukses misionin e saj
Ky objektiv përcaktohet në përputhje me vizionin dhe për të përmbushur më mirë misionin e QMNAL-së. Duke qenë se një strukturë e këtij lloji nuk ekziston në Shqipëri, modelet më të mira ndërkombëtare do të ndihmonin në konceptimin dhe ngritjen e saj.
  1. Ofrimi i programeve bashkëkohore të formimit dhe të zhvillimit të vazhduar pedagogjik të personelit akademik
Programet do të ndërtohen duke u mbështetur në vlerësimin e nevojave në nivel institucioni, në nivel vendi, në rekomandimet dhe përvojat ndërkombëtare. Programet do të synojnë formimin e kompetencave pedagogjike për një mësimdhënie cilësore në arsimin e lartë.
  1. Ofrimi i shërbimeve që mbështesin të nxënit e studentëve
QMNAL-ja do t’u asistojë studentëve nëpërmjet trajnimeve dhe konsulencës pedagogjike për t’i ndihmuar ata të nxënë në mënyrë efektive që të përvetësojnë me sukses programin e studimit që ndjekin.  
  1. Përgatitja e paketave me materiale teorike dhe praktike për formimin pedagogjik të personelit akademik dhe zhvillimin e vazhduar profesional
Ky objektiv synon që të përgatiten materiale teorike dhe praktike për programet e formimit dhe të zhvillimit të vazhduar profesional që do të ofrohen; të krijohet biblioteka e pedagogjisë së arsimit të lartë; të përgatiten DVD për mësimdhënien në arsimin e lartë.
  1. Përgatitja e paketave me material teorik dhe praktik për të mbështetur të nxënit e studentëve
  Përgatitja e materialeve ndihmëse për të nxënit e studentëve do të ndihmojnë ofrimin e shërbimeve dhe studentët.  
  1. Zhvillimi i partneriteteve
Bashkëpunimi me ekspertët më të mirë të Universitetit të Tiranës dhe të huaj, si dhe zhvillimi i partneriteteve ndërkombëtare me universitete dhe struktura analoge jashtë vendit vlerësohet si një objektiv jetësor për përmbushjen e vizionit dhe misionit të QMNAL-së. Mbajtja e marrëdhënieve dhe ndërmarrja e veprimtarive të përbashkëta do të mundësojë shkëmbimin e përvojave dhe ofrimin e shërbimeve të cilësisë së pritshme.       Fusha e veprimtarisë e QMNAL-së   QMNAL-ja e zhvillon veprimtarinë në fushën e pedagogjisë së arsimit të lartë dhe ofron këto programe dhe shërbime:
  1. Programi i Formimit Pedagogjik të Personelit Akademik;
  2. Programi i Zhvillimit të Vazhduar Profesional të Personelit Akademik;
III. Programi që mbështet të nxënit e studentëve;
  1. Publikime për pedagogjinë e arsimit të lartë.
  Aktivizimi i programeve do të kryhet në varësi të nevojave dhe të mundësive financiare.  
  1. Programi i Formimit Pedagogjik të Personelit Akademik
  Programi i Formimit Pedagogjik të Personelit Akademik (PFPPA) ka si mision formimin pedagogjik të personelit akademik për të përmbushur në mënyrë cilësore kompetencat pedagogjike të profesionit të pedagogut. Ky program synon formimin e kompetencave pedagogjike për mësimdhënien në arsimin e lartë. Programi ofrohet në nivel universiteti nga Qendra për Mësimdhënien dhe të Nxënit në Arsimin e Lartë. Programi i Formimit Pedagogjik të Personelit Akademik do të ofrohet në dy forma:
  1. Kurs i plotë i formimit pedagogjik për mësimdhënie në arsimin e lartë
Ky kurs do të ofrohet për personelin e ri akademik të punësuar rishtas që nuk zotëron formim pedagogjik nëpërmjet studimeve të kryera universitare, për personelin akademik të kategorisë asistent lektor që është në detyrë, por që nuk ka marrë formim pedagogjik nëpërmjet studimeve universitare apo trajnimeve gjatë karrierës.  Programi do të ofrohet edhe për këdo që është pedagog në një institucion tjetër të arsimit të lartë, që është i interesuar të ndjekë këtë kurs, si dhe për këdo  që aspiron të punësohet në një institucion të arsimit të lartë në një të ardhme. Programi i kursit të plotë të formimit pedagogjik përfshin tri fusha: fusha e mësimdhënies, fusha e disiplinës mësimore dhe fusha e vlerave profesionale. Kursi i plotë i formimit pedagogjik është i detyrueshëm. Në përfundim të tij lëshohet certifikata e formimit pedagogjik për mësimdhënie në arsimin e lartë.  
  1. Kurse të shkurtra për plotësim të formimit pedagogjik
Kurset e shkurtra ofrohen sipas nevojave të identifikuara për ato module që plotësojnë formimin tërësor pedagogjik. Për këtë qëllim ofrohen module të veçanta nga Kursi i plotë i formimit pedagogjik.  Në përfundim të kurseve të shkurtra jepet certifikata për plotësim të formimit pedagogjik për mësimdhënie në arsimin e lartë.  
  1. Programi i Zhvillimit të Vazhduar Profesional të Personelit Akademik
Programi i Zhvillimit të Vazhduar Profesional të Personelit Akademik (PZHVPPA) ofrohet për gjithë personelin akademik të Universitetit të Tiranës në detyrë, në kuadrin e zhvillimit profesional gjatë karrierës dhe synon të përditësojë dhe përmirësojë kompetencat pedagogjike të personelit akademik gjatë karrierës. Ky program ofrohet edhe për trajnimin e drejtuesve të njësive bazë dhe të grupeve mësimore e kërkimore në ndihmë të kryejes së veprimtarisë drejtuese, menaxhuese dhe administrative. Ky program ofrohet nëpërmjet këtyre formave: kurse të shkurtra, ditë të informimit, ditë të zhvillimit profesional, viti sabatik, vizita studimore, pjesëmarrje në rrjete dhe shoqata profesionale. Për të realizuar këtë program mund të përdoren trajnime, workshope, konferenca, seminare, shkollë verore, telekonferenca, webinar, mentorim.  
  1. Kurset e shkurtra ofrohen në nivel universiteti sipas nevojave të identifikuara dhe me një tematikë të caktuar, si për shembull për risi pedagogjike në arsimin e lartë; për kërkimin shkencor; për krijimin e hapësirës së mësimdhënies dhe të nxënit në arsimin e lartë; për drejtimin, menaxhimin dhe administrimin e arsimit të lartë; për përdorimin e teknologjisë digjitale në arsimin e lartë; për dosjen e mësimdhënies, etj. Në përfundim të kurseve të shkurtra jepet certifikata përkatëse. Qendra për Mësimdhënien dhe të Nxënit në Arsimin e lartë paraqet planin e kurseve të shkurtra që ofron për çdo vit akademik.
 
  1. Ditë të informimit për nismat e universitetit, njësisë kryesore, njësisë bazë.
Veprimtaritë e parashikuara në kuadrin e kësaj forme të zhvillimit profesional synojnë të njohin personelin akademik me nismat, programet, projektet e universitetit, njësisë kryesore dhe të njësisë bazë. Parashikohen 1-2 ditë të tilla në vit.
  1. Ditë të zhvillimit profesional. Agjenda e këtyre ditëve përcaktohet në bazë të nevoja të identifikuara paraprakisht. Ditët e zhvillimit profesional organizohen në nivelin e njësive kryesore dhe të njësive bazë. Veprimtaritë mund të zhvillohen si workshop, webinar, seminar, konferencë.
c.1. Dita e zhvillimit profesional për mësimdhënien, të nxënit, kërkimin Veprimtaritë e parashikuara në kuadrin e kësaj forme të zhvillimit profesional synojnë t’i japin mundësi personelit akademik të shkëmbejë përvojat më të mira për mësimdhënien, kërkimin, të reflektojë për praktikat e mësimdhënies, të përmirësojë pedagogjinë dhe të sigurojë përsosmërinë e të nxënit të studentëve. Parashikohen 3 – 4 ditë të tilla në vit. Organizohen në nivelin e njësisë bazë dhe të grupit mësimor e kërkimor. c.2. Dita e zhvillimit profesional për shërbimet digjitale, të sekretarisë digjitale, të bibliotekës digjitale, për përdorimin e pajisjeve dhe aplikacioneve të reja digjitale, etj. Parashikohen 1-2 ditë të tilla në vit. Organizohen në bazë universiteti ose nga njësia kryesore.  
  1. Viti sabatik. Kjo formë e zhvillimit akademik realizohet sipas parashikimeve në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
 
  1. Vizitat studimore në universitete ose institucione të tjera brenda ose jashtë vendit për të shkëmbyer përvoja që mund të zgjasin nga disa ditë deri në dy javë.
 
  1. Pjesëmarrje në rrjete dhe shoqata profesionale. Anëtarësimi dhe ndjekja e veprimtarive mund të jetë individuale ose në grup.
Pjesëmarrja në veprimtari të zhvillimit të vazhduar profesional dokumentohet dhe depozitohet në dosjen e pedagogut.  
  • Programi që mbështet të nxënit e studentëve
Programi që mbështet të nxënit e studentëve ofron një sërë shërbimesh për studentët e Universitetit të Tiranës për t’i ndihmuar ata të optimizojnë potencialin e tyre të të nxënit. Këto shërbime përfshijnë: kurse të shkurtra për të nxënit; konsulencë pedagogjike; trajnim për përgatitjen e punimeve të kursit, temave të diplomës, disertacionit; trajnim për përdorimin e teknologjisë mësimore; për menaxhimin e kohës së studimit; për aftësitë ekzekutive; për përballimin e stresit të provimeve, etj.