Qendra e Zhvillimit Profesional pranë Drejtorisë së Kurrikulave dhe Sigurimit të Cilësisë (DKSC), Universiteti i Tiranës, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, realizoi me sukses trajnimin me temë “Inteligjenca Artificiale në Prokurimet Publike”.
Trajnimi u mbajt më 19 nëntor 2025, në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Tiranës, nga lektori amerikan Adrian Rodriguez, ekspert i mirënjohur në fushën e teknologjisë dhe prokurimit publik.
Në këtë aktivitet morën pjesë anëtarë të personelit akademik nga Universiteti i Tiranës me profil në fushën e teknologjisë, informatikës dhe prokurimeve publike, të cilët patën mundësinë të njihen me praktikat bashkëkohore të përdorimit të inteligjencës artificiale në proceset e prokurimit publik, si dhe të ndajnë eksperienca dhe diskutime profesionale.
Trajnimi u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe në nxitjen e përdorimit të teknologjive inovative në administrimin publik, duke forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë.
