Qendra e Zhvillimit Profesional në Universitetin e Tiranës
Në përballje me sfidat e kohës dhe në kuadër të realizimit të strategjisë së zhvillimit institucional, Universiteti i Tiranës ka ndërmarrë një sërë iniciativash në mbështetje të zhvillimit profesional të studentëve, stafit akademik dhe ndihmës akademik. Në këtë kuadër, është ngritur Qendra e Zhvillimit Profesional, si një strukturë akademike ndihmëse pranë Rektoratit, e cila funksionon në nivel institucional.
Fillimisht e konceptuar si “Qendra Virtuale e Zhvillimit Profesional dhe Trajnimit”, kjo njësi u miratua nga Senati Akademik me Vendimin nr. 48, datë 25.11.2021, në përputhje me Ligjin nr. 80/2015, Statutin e UT-së dhe të drejtat që burojnë nga autonomia universitare e sanksionuar në nenin 57/7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Nga viti 2023, kjo qendër është integruar si sektor brenda Drejtorisë së Kurrikulave dhe Sigurimit të Cilësisë, dhe më Vendimin nr. 19, datë 13.04.2023, Senati Akademik miratoi ndryshimin e emërtimit të saj në: “Qendra e Zhvillimit Profesional në Universitetin e Tiranës”.