Filloi Programi i Formimit Pedagogjik-Psikologjik për lektorët e rinj!

Në kuadër të zhvillimit profesional dhe akademik të lektorëve të rinj dhe me synim përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, më 6 nëntor 2025, në Godinën “Liria”, u zhvillua seanca e parë e Programit të Formimit të Vazhduar Pedagogjik-Psikologjik, që ofrohet nga Universiteti i Tiranës.
Në hapje të programit mbajti fjalën e mirëseardhjes Zv. Rektorja e Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Anila Paparisto, e cila theksoi rëndësinë e këtij programi në forcimin e kompetencave pedagogjike dhe në zhvillimin profesional të lektorëve të rinj.
Më pas, përshëndeti të pranishmit Zv. Dekania e Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Artemisi Shehu, e cila vuri në dukje rolin që ky program luan në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe në përgatitjen akademike të brezit të ri të pedagogëve.
Ky program, që zhvillohet për të tretin vit radhazi, synon të:
–   forcojë kompetencat pedagogjike dhe metodologjike në procesin e mësimdhënies;
–  zhvillojë aftësitë psikologjike dhe komunikative me studentët;
–  nxisë përdorimin e praktikave bashkëkohore të mësimdhënies dhe vlerësimit;
– mbështesë avancimin në karrierën akademike.
Në këtë kurs marrin pjesë lektorë të rinj nga njësitë kryesore të UT-së, pedagogë nga IAL-të e tjera, si dhe studentë doktorantë që ndjekin studimet e tyre në Universitetin e Tiranës apo në IAL të tjera.
Pjesëmarrja në këtë trajnim përbën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe forcimit të kompetencave profesionale në arsimin e lartë.